Deklarimi i plotë i presidentes Osmani, para Samitit BE-Ballkan Perëndimor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, duke hyrë në takim. shprehu para mediave qëndrimin e  Kosovës dhe pritjet që ka vendi nga ky takim.

Pyetje: Cilat janë pritjet tuaja nga ky samit?

Osmani-Sadriu: Jam këtu për të dhënë një mesazh të fortë në emër të qytetarëve të Kosovës, sepse këtu është vendi që përkasim, në mesin e familjes së kombeve. Të kësaj familjeje evropiane për të cilën kemi kontribuar ndër shekuj e për vlerat mbi të cilat sot BE-ja qëndron.  Qëndroj sot këtu për të dhënë edhe një mesash të fortë në emër të qytetarëve të Kosovës, sepse kemi nevojë për një zë të qartë nga BE-ja, kemi nevojë për një mesazh unik nga BE-ja, për Ballkanin perëndimor, sepse sa më shumë hapësirë që lihet, për faktorët e tjerë malinj, është e qartë se ata do ta përdorin. Shpresoj se do të dëgjojmë një perspektivë të qartë nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Pyetje: Cili është qëndrimi juaj për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, që presin të marrin datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim?

Osmani-Sadriu: Është e qartë se kjo është çështje për qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe për liderët e Maqedonisë së Veriut, që të flasin e  këtu do të dëgjojmë deklarimet e tyre kur ata të mbërrijnë. Por ajo që mund të them është se ne mbështesim fillimin e bisedimeve për anëtarësim për të dy vendet, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Mendoj se është vetëm çështje kohe kur të gjithë ne do të lëvizim përpara. Shtetet demokratike nga rajoni i Ballkanit perëndimor që kanë treguar vlera të Bashkimit Evropian, duhet të lëvizin përpara. Shpresoj se vendet anëtare të BE-së do ta japin sot atë mesazh të qartë.

Pyetje: Cilat janë pritjet tuaja për liberalizimin e vizave?

Osmani-Sadriu: Ne shpresojmë shumë për liberalizimin e vizave, megjithatë nuk duam të rrisim pritjet në këtë kohë, sepse ky proces nuk është në dorën tonë. Kosova  ka përmbushur të gjitha kriteret për  liberalizimin e vizave, para katër viteve. Ne u jemi përgjigjur të gjitha shqetësimeve të vendeve anëtare dhe tani është  koha që vendet anëtare vërtetë të mbështesin këtë proces, sepse është  padrejtësi e madhe që u është bërë qytetarëve të Kosovës. Bëhet fjalë për principin bazik të lëvizjes së lirë. Qindra miliona njerëz nga Evropa dhe madje edhe jashtë Evropës, madje deri në Venezuelë, kanë lëvizje të lirë dhe qytetarët e Kosovës, më pak se 2 milionë, ende nuk e kanë atë të drejtë. Ne kemi përmbushur të gjitha kriteret, para katër vjetësh. Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave, Parlamenti Evropian ka mirëpritur dhe ka votuar në favor të liberalizimit dhe unë mendoj se është çështje kohe që vendet anëtare të dëgjojnë gjithashtu edhe zërin e njerëzve të vet që është reflektim i vendimeve të parlamentit.

Pyetje: Qëndrimi juaj për dhënien e statusit të vendit kandidat për Ukrainën e Moldavinë?

Osmani-Sadriu: Ne mbështesim dhënien e statusit të vendit kandidat, Ukrainës dhe Moldavisë sepse mendojmë se ata e meritojnë. Ashtu sikurse qytetarët e Kosovës edhe ata të këtyre vendeve, kanë treguar se vërtetë qëndrojnë mbi vlerat e BE-së dhe janë gati të japin qoftë edhe jetën e tyre në mënyrë që të jenë në gjendje t’i bashkohen BE-së dhe të qëndrojnë mbi këto vlera e principe. Prandaj nuk shoh asnjë dëmtim kundrejt Ballkanit perëndimor nëse lëvizin Ukraina dhe Moldavia. Është e kundërta, unë mendoj se duke u hapur dyert Ukrainës e Moldavisë, BE-ja do të dërgonte mesazh të fortë se kjo është e rëndësishme në aspektin gjeostrategjik. Prandaj kjo është saktësisht se çfarë ka nevojë edhe Ballkani perëndimor. Prandaj unë besoj se derisa Ukraina e Moldavia lëvizin përpara, në të njëjtën kohë edhe BE-ja do të kuptojë se ne që jemi pjesë e zemrës së Evropës gjithashtu meritojmë të lëvizim përpara. Sepse sa më shumë, siç thash, nuk jep një shenjë të unifikuar dhe shenjë të qartë për Ballkanin perëndimor, aq më shumë faktorët e tjerë malinj do ta përdorin atë hapësirë.

Pyetje: Disa vende të Ballkanit perëndimor kanë shprehur mëdyshje të jenë sot këtu?

Osmani-Sadriu: Mendoj se ata do të flasin në emër të tyre. Për Kosovën dëshira e qytetarëve për integrimet euro-atlantike mund gjithçka tjetër. Ne nuk kemi shikuar asgjë tjetër dhe kjo është alternativa e vetme që kemi punuar për të dhe do të vazhdojmë për të punuar. Durimi ynë nuk do të zbehët. Prandaj për këtë arsye, besoj se të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor meritojnë të jenë sot këtu për të shprehur qëndrimet e tyre dhe të shprehin zërin e qytetarëve të tyre. Dhe sigurisht, ata që më të vërtetë janë të përcaktuar për të lëvizur në rrugën e BE-së duhet të lëvizin përpara. Ata që besojnë se mund të lëvizin në rrugën e Moskës, në rrugën e Putinit, e në të njëjtën kohë edhe në rrugën e BE-së, nuk e meritojnë të jenë në rrugën e BE-së, sepse nuk mund të lëvizësh në të dy rrugët njëkohësisht.

Pyetje: I referoheni Serbisë?

Osmani-Sadriu: Padyshim. Deri më tani dhe fatkeqësisht Serbia nuk ka treguar asnjë dëshirë që të marrë qëndrim të plotë me atë të BE-në sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë, e në këtë rast, përveç dëmtimit të perspektivës së tyre evropiane, ata po dëmtojnë tërë rajonin sepse po lejojnë ndikim më të madh rus në tërë rajonin. E kjo sigurisht se është shumë e dëmshme edhe për të ardhmen tonë afatgjate për paqe dhe stabilitet.

Osmani në Bruksel:  Jemi këtu që BE të dëgjojë zërin tonë (Foto)

(E plotësuar: Ora: 9:00) Ka filluar takimi mes liderëve të Ballkanit perëndimor dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, duke hyrë në takim shprehu qëndrimin e  Kosovës dhe pritjet që ka vendi nga ky takim.

“Jam këtu për të dhënë një mesazh të fortë në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, sepse kemi nevojë  për një mesazh unik nga Bashkimi Evropian, për  vendet e Ballkanit perëndimor”, tha Osmani-Sadriu në fjalën e saj para medieve.

“Sa më shumë hapësirë që mbetet në rajon, mund të shfrytëzohet nga faktorët  malinjë dhe është  e qartë se kjo hapësirë do të shfrytëzohet”, tha ajo, raporton RTKlive.

Osmani-Sadriu deklaroi se shpreson që sot vendet e Ballkanit perëndimor, të dëgjojnë një perspektivë të qartë nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian për këtë rajon.

“Ne shpresojmë shumë për liberalizimin e vizave, megjithatë nuk duam të rrisim pritjet në këtë kohë sepse ky proces nuk është në dorën tonë”, tha  presidentja e Kosovës.

Ajo rikujtoi se  republika e Kosovës ka përmbushur të gjitha kriteret për  liberalizimin e vizave, para katër viteve.

“Ne u jemi përgjigjur të gjitha shqetësimeve të vendeve anëtare dhe tani është  koha që vendet anëtare të mbështesin këtë proces sepse është  padrejtësi e madhe që u është bërë qytetarëve të Kosovës”, tha Osmani-Sadriu, raporton RTKlive.

Në deklarimin e saj  para mediave , presidentja e Kosovës rikujtoi se miliona njerëz në Evropë e deri edhe në Venezuelë mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen, ndërkohë që këtë të drejtë nuk e kanë kosovarët.

Ajo  deklaroi se mbështetë dhënien e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE të Ukrainës e Moldavisë, dhe rikujtoi s Kosova është rreshtuar përkrah perëndimit, sa i përket agresionit të Rusisë.

BE-Ballkani perëndimor, sot takim në Bruksel (E plotësuar+Video)

Liderët e 27 vendeve të BE-së do të takohen sot në një samit dyditor në Bruksel, të paraprirë nga një takim i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Takimi i liderëve të BE-së dhe gjashtë partnerëve nga Ballkani Perëndimor fillon në orën 9.30 në ndërtesën e Këshillit Evropian.

BE-ja njoftoi se presin shkëmbim të mendimeve me partnerët e Ballkanit Perëndimor për mundësitë për forcimin e procesit të anëtarësimit, përkatësisht përshpejtimin e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.

E në anën tjetër, përgatitjet teknike për takimin e liderëve BE-Ballkani Perëndimor dhe Këshillin Evropian janë bërë kohë më parë.

Më poshtë, mund të gjeni videon me përgatitjet për takimin e liderëve BE-Ballkani Perëndimor dhe për Këshillin Evropian, në ndërtesën ‘Europa’, që do të zhvillohet më 23 qershor 2022 në Bruksel.

BE dhe 6 vendet e Ballkanit perëndimor, sot takim në Bruksel

Takimi i liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian me ata të gjashtë vendeve të Ballkani perëndimor, do të mbahet sot (23 qershor) në Bruksel.

Tashmë Këshilli Evropian ka publikuar agjendën e shoqëruar edhe me një video, me pamje të ndryshme të vendeve të Ballkanit perëndimor.

Sipas Këshillit Evropian, takimi do të bazohet në lidhjet ekzistuese të ngushta midis BE-së dhe Ballkanit perëndimor.

Në agjendë shkruan se udhëheqësit do të diskutojnë përparimin për integrim në BE dhe sfidat që rrjedhin nga agresioni rus kundër Ukrainës.

“Takimi do të jetë gjithashtu një mundësi për të vlerësuar progresin në investimet kryesore në kuadër të Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (EIP)”, shkruan në përshkrimin e përgjithshëm të këtij takimi.

“…do të diskutohet edhe për çështjet gjeostrategjike, për të eksploruar mënyra për të nxitur kontaktet mes njerëzve dhe për të promovuar përafrimin me vlerat e BE-së dhe politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë (CFSP)”.

Takimi i fundit ndërmjet liderëve të BE-së dhe Ballkanit perëndimor ishte samiti BE-Ballkani perëndimor i mbajtur në Brdo të Sllovenisë në tetor 2021.

Në atë kohë, presidencën e radhës së BE-së e kishte Sllovenia.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close