“VATRA”, SHOQËRIA QË MBAJTI GJALLË KOMBIN SHQIPTAR

Nga Kastriot Kotoni
Shqiptarët si të gjithë popujt e botës kanë lëvizur në kërkim të një jete më të mirë, deri në fund të botës, thuhej deri në Honolulu. Ka kërkime të sotme që e përcaktojnë kohën kur shqiptarët kanë shkelur për herë të parë në Amerikë, si më të hershme. Varianti më i besuar se ata janë gjendur në Amerikë si qytetar apo shtetas italianë, grek, turq, rumunë, serb, bullgarë, egjyptianë e sirianë, me origjin shqiptare, edhe si pjesë e Perandorisë osmane. Arsyet e kërkimit të një jete më të mirë ishin, anarkia e cila ishte e pranishme në të gjitha viset e Perandorisë Osmane, mungesa e rrugëve, dhe pasiguria e jetës. Të gjitha këto shkruan Artur Jon Evansi në shkrimin e tij “Shqipëria dhe çelësi lindor i Adriatikut”, se sundimi Osman “I sëmuri i Bosforit” e kishte kthyer Shqipërinë në një vend brutalisht të shkatërruar, kurse Durrësin, e kishte lënë në kohën e vetë të pleqërisë së këputur, pa fëmijë pa pasardhës. Ky sundim e kishte kthyer popullin dhe kulturën në një mjerim skllavërues. E megjithatë, Durrësi e kishte mahnitur Evansin, duke u shprehur: “Durrësi ia kalon çdo qyteti të lashtë që kam parë”. Por edhe shqiptari i parë i cili shkeli në Amerikë, siç njihet deri më tash është shfaqur qysh në vitin 1876, i paidentifikuar dhe Abati Prend Doçi mbërriti në vitin 1877, e u rikthye në Shqipëri në mars të vitit 1883. Njihet me dokumenta të rregullta si emigranti i parë shqiptar Kolë Kristofori nga fshati Katund i rrethit të Korçës, i cili arriti në Amerikë në vitin 1884. Kolë Kristofori ishte si të thuash kumbari i parë i udhës së emigracionit shqiptar në Amerikë. Ai u kthye pas gjashtë vjetësh në fshatin e tij të lindjes dhe u rikthye në Amerikë së bashku me 17 bashkëfshatarët të tij, të cilët janë bërthama e parë e diasporës shqiptare në Amerikë.
Etapa e parë
Etapa e parë e emigracionit shqiptar në Amerikë fillon nga fundi i shekullit XIX dhe mbaron më 1920, etapa e dytë përfshin periudhën midis dy luftërave botërore dhe etapa e tretë përfshin periudhën mbas luftës së dytë botërore, emigrantët shqiptarë në Amerikë ndahen sipas dy kategorive, emigrant ekonomikë dhe emigrant politikë. Prurjet më të mëdha të emigracionit shqiptar në Amerikë janë në vitet 1904-1905, dhe 1912- 1914. Emigrantët e parë që shkuan në Amerikë, filluan të punojnë në fabrikat e tekstileve dhe fabrikat e këpucëve, të cialat nuk kishin nevojë për punëtorë të kualifikuar. Emigrantët shqiptar të Amerikës ishin shpërndarë në 12 shtete dhe numrin më të madh e përfshin shteti i Bostonit. Ardhja në Amerikë e patriotit Petro Nini Luarasi e rritën skajshëm lëvizjen kombëtare të diasporës shqiptare. Petro Nini Luarasi arriti të krijojë shoqërinë e parë të shqiptarëve të Amerikës me emrin “Mallin e Mëmëdheut”. Në vitin 1905 arriti në Boston nga Rumania intelektuali Sotir Peci, i cili po ashtu si Luarasi luajti një rol të rëndësishëm në përhapjen e lëvizjes kombëtare. Më 10 Maj të 1906 në moshën 24 vjeçare mbërriti në Amerikë figura më e shquar e historisë së Shqipërisë Fan Stilian Noli. Sotir Peci ndërkohë në vitin 1906 fillon të botojë gazetën “Kombi”. Në këtë gazetë fillon punë si zwvendësredaktor Fan. S. Noli si dhe Eftim Nasi i cili bënte tre punë. Më vonë në vitin 1907 Fan Noli do të bëjë një veprimtari edhe më të dendur patriotike që do të finalizohej me krijimin e “Shoqërisë Besa-Besë”.
Në Hyrjen e Kanunores së Shoqërisë, ku shprehimisht thuhet: “Neve shqiptarë të Amerikës, mbetëm shumë të mallëngjyer nga liria, fuqia e bashkimi i popullit amerikan dhe kemi dëshiruar shumë të kuptojmë udhën, e cila i çoj ata në qeveri solide, duke e ndjerë sapo të kishim neve një të tillë, fati ynë si komb do të ishte fort larg. Me zemër plot mirënjohje rrëfejmë se kemi tërë lehtësitë në këtë vend të lirisë, po ndjejmë se kemi një detyrë të madhe ndaj vendit tonë”. Në Sentluis u krijua një shoqëri me emrin “Lidhja” me kryetar Nikolla Xhambazi.
Një Tjetër shoqëri u krijua në Nju-Jork e u pagëzua me emrin “Koha”. Në gjysmën e dytë të vitit 1908 u krijuan edhe dy shoqëri të tjera, shoqëria “Mirëdashëse” e Seuth Framingamit, si dhe shoqëria “Fatbardhësi” e krijuar në Boston me kryetar Nikoll Kristoforin. Një tjetër shoqëri u krijua edhe në Southbrigde e pagëzuar me emrin “Dielli i Shqipërisë”. Ndërkohë fillojnë përpjekjet titanike për bashkimin e të gjitha shoqërive shqiptare dhe kjo ide u hodh për herë të parë në faqet e gazetës “Kombi”. “Pse të mos merren vesh të gjithë kryetarët dhe të punojnë me një program dhe me një qëllim. Pse të mos jetë një shoqëri e madhe e cila të ketë degë në të gjitha fshatrat ku gjenden shqiptarë?” Faqet e gazetës “Kombi” u bënë objekt i diskutimit, si problemet e mbajtjes së një kongresi me përfqësues nga të gjitha shoqëritë shqiptare të krijuara, ku do të diskutoheshin çështjet që shqetësonin kombin tonë. Të përçarë e të ndarë dhe sikush pas mendjes së tij kurrë nuk do të përparojmë dhe do të mbetemi vetëm me bujë dhe lëvdata. Duhet të marrim edhe ne për shembull shqiptarët e Rumanisë, të cilët duke parë se na shtrëngon e s’na pret koha lanë mëritë e tyre dhe u bashkuan.
Përpjekjet për bashkim
Megjithatë përpjekjet për bashkim kishin hasur pengesa me pretekse ligjore mes shoqërisë “Mall i Mëmëdheut” dhe shoqërisë “Besa-Besën”. Bëri thirrje për bashkim në muajin maj të vitit 1908 Sotir Mikeli, si kryetar i shoqërisë “Besa-Besë”. Ai i drejtoi Bashkësisë Shqiptare të Amerikës një thirrje ku thuhej: “Kemi përpara nesh një shkëmb të madh që është zgjedha e Turqisë, si dhe shtetet shoviniste fqinje. Ky shkëmb na ka zënë udhën… bashkohuni o vëllezër, lidhuni me njëri tjetrin për të mirën tuaj dhe të atdheut tonë”. Protesta e parë me karakter ndërkombëtar në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare u drejtua prej Bashkësisë Shqiptare të Amerikës, Fuqive të Mëdha Evropiane dhe SHBA-së në Hagë të cilat ishin mbledhur për të diskutuar pakësimin e armatimit në Ballkan. Prej katër përfaqësuesve të shoqërive shqiptare u përpilua një notë proteste e cila u dërgua në Hagë në mbrojtje të çështjes shqiptare. Kjo është vepra më e rëndësishme do të theksonte Noli në një mbledhje të shoqërisë “Besa-Besë”.
Ardhja në Amerikë e patriotit Bajo Topolli si përfaqësues i Komitetit “Për Lirinë e Shqipërisë” i dha një impuls të ri Lëvizjes Kombëtare në rradhët e diasporës të shqiptare në Amerikë. Nga ana tjetër Kristo Dako, pasi studioi për teologji në një seminar të Universitetit Teologjik të Obërlenit të shtetit Ohajo, krijoi një rreth të gjerë miqsh amerikanë duke përfshirë edhe njerëz me influencë, të cilët i përdori për të sensibilizuar opinionin rreth çështjes shqiptare. Po ashtu, në qytetin e Xhejmstounit u themelua bibloteka e parë shqiptare në Amerikë. Edhe patrioti Petro Nini Luarasi çeli biblotekën në Malboro Mass, një biblotekë që do të merrej me shitjen e të gjithë librave shqip që do të shtypeshin tek shtypshkronja ‘Mbrothësia” në Sofie të Bullgarisë. Vjen në Amerikë këngëtari (tenor) italian me origjinë shqiptare Giachino Stassi, ku organizoi disa koncerte për shqiptarët e Bostonit. U shpall në mars të vitit 1908 kisha ortodokse shqiptare autoqefale dhe për herë të parë u shtypën libra kishtarë në gjuhën shqipe me nismën e Fan Nolit. Shoqëria “Besa-Besë” e Bostonit prej 15 Shkurtit të vitit 1909 filloi të botojë gazetën ‘Dielli” e cila u bë më pas organ i Federatës “Vatra”. Kjo gazetë pati si redaktor të parë të saj Fan Nolin. Programi i shoqërisë “Besa-Besën”çelej me divizën “Shqipëria për shqiptarët”. Kjo gazetë do të luftonte për njohjen e kombit shqiptar prej qeverisë turke, për njohjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në të gjithë Shqipërinë, për arsimin kombëtar shqiptar në të gjitha shkollat shqiptare që ishin hapur apo që do të hapeshin mësimi të bëhej në gjuhën shqipe. Në 10 Tetor të vitit 1909 drejtimin e gazetës “Dielli” do ta merrte Faik Konica dhe kështu kjo gazetë kthehet në epiqendër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Amerikë. Shoqëria “Mall i Mëmdheut”, nëpërmjet një letre botuar në gazetën “Dielli”, kërkonte bashkimin e shoqërive dhe jepte argumenta se çfarë fitimesh kishin nga ky bashkim.
“Besa-Besë”
Ndërsa shoqëria “Besa-Besë”, më e madhja dhe më e organizuara deri në ato vite, bëri një thirrje për bashkim, bëri një thirrje për një mbledhje të përgjithshme të të gjitha shoqërive. Të gjitha shoqëritë shqiptare ndiqnin me vëmendje situatën në Shqipëri dhe kryengritjet shqiptare të vitit 1910 dhe i përkrahën pa rezerva ato. U organizua një miting madhështor në qytetin e Bostonit, në përkrahje të kryengritjes shqiptare. Në këtë miting ishin oratorët si Fan Noli, Faik Konica, Filip Kristoforidhi dhe Misto Millona dhe amerikani Heri Worli përfaqësues të arbëreshëve të Italisë banues në Amerikë. Siç theksonte Faik Konica “Për herë të parë kemi në këtë kryengrintje të bashkuar të krishterë dhe muslimanë kundër armikut të përbashkët dhe kjo do të sjellë lirinë a vdekjen e Shqipërisë”. Në një miting tjetër në Boston më 18 maj të vitit 1910, Fan Noli tha ndër të tjera, – Mos harroni burrat e varur në Kosovë, gratë e çmendura, foshnjat në syngji (bajonetë), patriotët e syrgjynosur, shkollat e mbyllura, zakonet e shkelura. Kështu mund të gadisni një racë të re të bashkuar e solide si shkëmb, kundër të cilit thyhet sulmi dhe tërmeti i furtunës aziatike”. Ditën e mitingut u hap fushata për të ndihmuar financiarisht kryengritjen. Që në ditët e para u mblodhën 3000 dollarë. Pasi arritën këto para në dorën e kryengritësve, komiteti i kryengritjes dhe Miss Durham i dërguan një telegram falenderues shoqërisë “Besa-Besë”. Ndihma për kryengritjen dha edhe shqiptarofili i shquar amerikani Çarls Krein nga Çikagoja. Në korrik të vitit 1911 u organizua grupi i vullnetarëve që do të shkonin të luftonin në Shqipëri. Në krye të këtij komiteti u vendos kryetari i shoqërisë “Besa-Besë”, Koli Rodhe i cili u shpreh se do të kryente detyrën ndaj atdheut. Lëvizjet antiosmane duheshin mbështetur në sajë edhe të një bashkimi të shqiptarëve dhe nëpërmjet gazetës “Dielli” bëhej thirrje për bashkim me thirrjen “Rroftë Bashkimi”. Me një punë të palodhur të drejtuesit të gazetës “Dielli” Kristo Floqi, i cili organizoi brenda tre muajve 100 konferenca shtypi në kolonitë shqiptare, ku trumbetohej për bashkimin e përgjithshëm me qendër në Boston.
“Dielli”
Në gazetën “Dielli” u bë një thirrje drejtuar shoqërive të Amerikës, ku bëhej e ditur themelimi i një Komiteti Qendror i cili do të shërbente për bashkërendimin e proçesit të bashkimit të të gjitha shqoqërive shqiptare. Gjithashtu në gazetën “Dielli” u botua edhe Kanunorja(projekt) e Komitetit Qendror, e cila do të diskutohej në mbledhjen e 24 dhjetorit. Bashkimi i shoqërive do të kishte si pikësynim të luftonte për shpëtimin dhe përparimin e kombit, përhapjen e diturisë tek shqiptarët e Amerikës, të Shqipërisë dhe kudo që ndodheshin nëpërmjet shtypit dhe librave si dhe shkollave shqipe. Më 24 dhjetor 1911, në sallën “Rathbone Hall 724, në Uashington Street” u organizua një mbledhje e përgjithshme, ku u bisedua gjerësisht çështja e bashkimit të shoqërive shqiptare. Kjo ditë shënoi fillimin e një etape të re për gjithë komunitetin shqiptar, të Amerikës. Drejtimi i mbledhjes iu besua Kristo Floqit. Sipas propozimit të Marko Adamsit për të zgjedhur një komision të përbërë prej katër vetësh (Faik Konica, Fan Noli, Kristo Floqi, dhe Paskal Aleksi. Më 13 shkurt të 1912, u mblodh komisioni i zgjedhur nga mbledhja e 24 dhjetorit. Në këtë mbledhje Fan Noli u zgjodh sekretar i komisionit. Gjithashtu komisioni vendosi që mbledhja e rradhës të mbahej për herë të dytë më 3 mars 1912. Shumë shoqëri ishin përgjigjur për bashkimin dhe në mbledhjen e 17 marsit të organizuar në sallën “227 Tremond ST” të kishës së Shëngjergjit zgjodhi si kryetar të komisionit qendror Fan Nolin, në këtë komision merrnin pjesë edhe Faik Konica, Kristo Floqi dhe Kristo Kirka, Elia Tromara, Lambi Çikozi, Koço Kota, Kostika Treska. Mbas debatesh të shumta e të gjata u vendos, që shoqëria federale që do të themelohej, të kishte si organ të saj gazetën “Dielli”, me kusht që ajo të financohej prej shoqërisë. Faik Konicës dhe Kristo Floqit iu ngarkua detyra e hartimit të kanunores. U propozuan emra të tillë, si “Plugu”, “Parmenda”, “Kastrioti” “Skënderbeu”, “Përlindja”. Fan Noli me durim e me elekuencën e tij arriti që t’i bindte delegatët që federata e sapolindur të pagëzohej me emrin “Vatra”. Ky emër u miratua zyrtarisht në mbledhjen për bashkimin të 31 marsit 1912. Më 14 Prill u miratua Kanunorja e Federatës “Vatra”.
“Vatra”
Tre figurat kryesore të Federatës Panshqiptare “Vatra” si Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, brenda një kohe të shkurtër u shpërndanë nëpër shtetet e qytetet e Amerikës për të formuar degët e shoqërisë së sapoformuar. Shoqëria “Vatra” që në fillim u organizua mbi një sistem demokratik. Çdo shqiptar që banonte në SHBA dhe në Kanada mund të bëhej anëtar i “Vatrës”, në qoftë se ishte dakord me Kanunoren e shoqërisë. Njohja zyrtare e Federatës Panshqiptare “Vatra” u bë më 13 qershor të vitit 1912 dhe mori diplomën e saj të nënshkruar prej Albert Lengtit(Albert P Langty), sekretar i shtetit të Masaçusest. Emrat e atyre shqiptarëve që nënshkruan deklaratën e njohjes janë Faik Konica, Llambi Çikozi, Fan Noli, Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Cerre, dhe Kosta Kota. Në kuvendin e jashtëzakonshëm të 8 dhjetorit të vitit 1912 u vendos njëzëri që Faik Konica të dërgohej si delegat i diasporës shqiptare të Amerikës në Evropë dhe në Shqipëri, për të marrë pjesë në diskutimin e problemeve të rëndësishme për të ardhmen e populit shqiptar. Ndërsa vendin e Fan Nolit dhe Kol Caknaqit, që u larguan prej Amerikës për në Evropë, e zunë përkatësisht Naum Cerre dhe Llambi Laro. Në 11dhjetor të 1916 krijohet “Banda Kombëtare Vatra” me dirigjent prof. Thoma Nashi dhe në të bënin pjesë 30 instrumentista me veglat më të shtrenjta të asaj kohe. Anëtarët e Bandës Kombëtare Vatra morën pjesë si vullnetarë në luftën e Vlorës.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close