Kuvendi zgjodhi Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit
Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryetarin dhe katër anëtarë në Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.
61 deputetë të mazhorancës votuan pro zgjedhjes së Bordit të OSHP-së, derisa partitë opozitare e kishin lëshuar sallën më herët, pas dështimit të Projektligjit për Trustin.
Kryetare e bordit u zgjodh Vjosa Gradinaj-Menxhuani, ndërsa anëtarë Nita Bejta, Kimete Gashi, Vedat Peterqoj dhe Agon Ramadani.
Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti tha se kanë ushtruar diskrecionin e përzgjedhjes së kandidatëve për bord të OSHP-së, pasi komisioni ka qenë i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar.
“Ajo që duhet potencuar është se komisioni ishte i pakënaqur me kandidatët që kanë aplikuar, qoftë në kuptim të përvojës së tyre profesionale dhe profesionalizimit në përgatitjen e kandidaturës. Në këtë kuptim, komisioni kishte rekomanduar qeverisë që të ushtrojë diskrecionin në përzgjedhjen e kandidatëve sipas të drejtës që i takon. Ky është pranuar dhe ne kemi ushtruar kompetencën tonë të garantuar me ligj dhe kemi votuar listën e kandidatëve”, tha ai.
Kuvendi sot miratoi edhe disa projektligje, në mesin e tyre atë për pyjet, parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes dhe Projektligjin për zbatimin e Sanksioneve Financiare Ndërkombëtare të Shënjestruara.
Pas miratimit të tyre, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca mbylli punimet e sotme derisa tha se pikat e mbetura në rend të ditës do t’i vazhdojnë javën e ardhshme.
Nuk kalon Projektligji për tërheqjen e parave nga Trusti
Naser Mekolli /RTKlive
06:13 / 23.06.2022
(E plotësuar) Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të miratojë Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, pasi nuk mori votat e mjaftueshme në shqyrtim të parë.
102 deputetë ishin të pranishëm në sallë gjatë procesit të votimit, por për votuan 47 prej tyre, kundër ishin 57, derisa një deputet abstenoi.
Votimit i parapriu një debat i gjatë, ku deputetët e opozitës kërkuan nga Qeveria që të reflektojë dhe ta mbështesë propozimin që do t’i mundësonte qytetarëve tërheqjen e 10 deri 30 përqind të mjeteve nga Trusti, teksa mazhoranca në Kuvend dhe Qeveria u deklaruan se një propozim i tillë e rrënon sistemin pensional të Kosovës.
Comments are closed.