Plani për trajtimin e qenve endacakë hartohet nga një grup punues i MAPL

Institucionet qendrore tashmë kanë nisur hartimin e një strategjie e cila në bashkëpunim me 38 komunat e Kosovës do të bëjnë një zgjidhje që të trajtohen qentë endacakë.

Me iniciativë të kryeministrit, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka krijuar grupin punues për hartimin e dokumentit Strategjia Kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve endacakë dhe me pronar.

“Strategjia për kontrollin dhe menaxhimin e qenve endacakë, përfshin një strategji afatgjate e cila në vete përmban disa objektiva. Ndër objektivat kryesore janë kastrimi, sterilizimi dhe vaksinimi i qenve të cilët janë qenve endacakë si dhe kontrolli i mbarështimit dhe kontrolli i qenve të cilët janë me pronarë”, tha Arianit Abazi, zëdhënës i ministrisë.

Ai tha se strategjia kombëtare vlen për 38 komuna të Republikës së Kosovës.

“Natyrisht jemi në kontakt të drejtpërdrejtë me secilën komunë në mënyrë që të koordinohemi sa më afër dhe të ofrojmë një zgjidhje e cila është e qëndrueshme për të gjitha komunat”, tha Abazi.

Pjesë e këtij grupi punues është edhe Agjencia e ushqimit dhe veterinës, që ka për detyrë të bëjë monitorimin dhe inspektimin e trajtimit të qenve endacakë nga subjektet veterinare.

Sadik Heta, i cili është anëtar i grupit punues nga AUV, në një përgjigje me shkrim sqaroi se çka parasheh strategjia.

“Strategjia parasheh që qentë endacakë të trajtohen nga të gjitha komunat e vendit në mënyrë të organizuar. Gjithashtu strategjia parasheh që komunat e vendit të bashkëpunojnë në mes vete, në mënyrë që të bëjnë edhe ndërtimin e strehimoreve apo të bëjnë trajtimin e qenve endacakë duke koordinuar aktivitetet në mes vete”.

“Në këtë dokument parashihen përgjegjësitë e secilit institucion në vend, duke përfshirë përgjegjësitë e MAPL-së respektivisht komunave të vendit, MBPZHR-së dhe AUV-it. Gjithashtu janë të parapara metodat e trajtimit të qenve endacakë, identifikimi dhe regjistrimi i qenve me pronarë, por edhe licencimi i mbarështuesve të kafshëve shoqëruese”.

Nga komuna e Prishtinës po e shohin të rëndësishme bashkëpunimin me nivelin qendror dhe komunat, në zgjidhjen e çështjes së trajtimit të qenve endacakë.

Këshilltari për çështje të sigurisë në këtë komunë, Bajram Gecaj, foli edhe për masat  dhe rolin e komunës në trajtimin e qenve endacakë.

“Ne fillimisht kemi aprovuar një strategji 10 pikëshe të cilën jemi duke e zbatuar, strategji e cila është aprovuar nga të gjithë pjesëmarrësit në çështjen e qenve endacakë”, tha Gecaj.

“Ne fillimisht kemi organizuar tryezë të rrumbullakët, e të gjithë individët dhe organizatat të cilat janë të involvuara në çështjen e qenve endacakë më atë konferencë kemi prezantuar strategjinë tonë e cila është miratuar nga të gjithë pjesëmarrësit. Pas saj kemi formuar një taskforcë të brendshme të komunës  e cila merret me qentë endacakë “, shprehet Gecaj.

Këtë strategji po e sheh të rëndësishme edhe fondacioni për të drejtat e kafshëve.

“Po shpresoj që pas aprovimit të asaj strategjie masat për trajtimin e qenve endacakë do të jenë në të gjitha komunat njëjtë dhe që edhe komuna e Prishtinës të fuqizohet edhe më shumë me plane të mira të qëndrueshme që i ka filluar deri më tani”, thotë Elza Ramadani nga fondacioni për të drejtat e kafshëve.

Çështja e qenve endacakë është bërë më aktuale kohët e fundit, pas raportimeve të qytetarëve për sulme ndaj tyre.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close