Kryeministri Rama për takimin me Bidenin: Fjalët më të mira për rolin e Shqipërisë në KS dhe NATO
ATSH/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se gjatë takimit me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, ka dëgjuar prej tij fjalët më të mira për Shqipërinë dhe rolin e saj në Këshillin e Sigurimit e në NATO.
Rama tha se Biden shprehu dëshirën për të organizuar diçka me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA.
“Dëgjova nga Presidenti Joe Biden fjalët më të mira për Shqipërinë dhe rolin e saj në Këshillin e Sigurimit e në NATO, si edhe shprehjen e dëshirës së tij për të organizuar diçka bashkarisht me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipëri-SHBA”, theksoi Rama në një postim në rrjetet sociale.
Kryeministri Rama u shpreh se “vlerësova gjithashtu marrëveshjen e arritur mes Suedisë, Finlandës dhe Turqisë, duke çmuar qasjen e drejtpërdrejtë të Presidentit Erdogan në funksion të një shqetësimi shumë serioz të shtetit turk dhe nënvizuar se kjo marrëveshje është një shembull për zgjidhjet e problemeve mes aleatësh”.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se “shpjegova dallimet e pozicioneve në Ballkan në raport me Rusinë e me sanksionet ndaj saj, arsyet e këtyre dallimeve dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së stabilitetit e të nxitjes së bashkëpunimit rajonal, duke rritur ndërveprimin konstruktiv me Serbinë të BE-së dhe vendeve të NATO-s”.
Kryeministri Rama kërkoi sot në NATO që Kosova të ftohet menjëherë në mekanizmin e Partneritetit për Paqe.
“Vendet që nuk e njohin ende Kosovën duhet të vlerësojnë qëndrimin e saj krejt të njehsuar me BE-në ndaj agresionit rus mbi Ukrainën – pavarësisht se Ukraina nuk e ka njohur ende Kosovën”, tha Rama.
Comments are closed.