Kosova shënon këtyre ditëve shtim të rasteve të reja me COVID-19

Kosova shënon këtyre ditëve shtim të rasteve të reja me COVID-19 me tendencë të rritjes ditëve në vijim. Fatmirësisht tani nuk ka raste të vdekjeve nga kjo sëmundje në Kosovë. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë për Radio Kosovën se nuk do të këtë shtrëngim të masave, por apelojnë për vaksinim.

Në Kosovë këtyre ditëve ka filluar të rritet dukshëm numri i rasteve pozitivë me COVID -19. Vetëm në dy ditët e fundit, numri i rasteve të reja me COVID -19 ka kaluar numrin 500.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha, tha për Radio Kosovën se, të gjithë personat të cilët ndihën të rrezikuar, apo që mund t’u rrezikohet shëndeti i tyre nga ky virus, duhet ta bartin maskën në mjediset e mbyllura dhe t’i shmangin grumbullimet.

Sipas Gexhes, bartja e maskës dhe vaksinimi janë masat kryesore, por që tani për tani nuk do të ketë shtrëngim të masave të tjera, ka thënë ajo.

“Rritja e numrit të rasteve nuk është indikator për shtrëngimin e masave të mëtutjeshme. Masa më e mirë për të cilën bëjmë thirrje, është vaksinimi. Vaksina nuk të mbron qind për qind nga infeksioni por na mbron nga format e rënda të sëmundjes dhe nga vdekjet”, tha ajo.

Zëvendësministrja Gexha tutje shtoi se kanë miratuar rekomandimin për dozën e katërt të vaksinës anti-COVID-19 për grupmoshën mbi 60 vjeç, të paktën katër muaj pas marrjes së dozës së tretë. E qytetarët të cilët janë vaksinuar me dozën e tretë, thonë që do të vaksinohen edhe me dozën e katërt.

“Po, jam vaksinuar me 3 doza, dhe nëse ka nevojë e marr edhe të 4, kur i kam marr këto të tria, e marr edhe të katërtën. Po tash varet! Në qoftë se  na preferojnë patjetër për udhëtime ose na e kushtëzojnë, sido që të jetë, duhet t’i respektojmë rregullat”, tha ajo.

Por ka edhe qytetarë të tjerë që mendojnë ndryshe për vaksinimin.

“Nuk po e shoh të nevojshme e as nuk është e arsyeshme. Veç kam pasur të shkoj ne Zvicër e Gjermani se as të parën e as të fundit   nuk e kisha marr. Me ka munduar e para dhe e dyta e nuk mendoj ta marr njëherë se më kanë munduar shumë”, tha ajo.

Aktualisht në Kosovë, me dozën e parë dhe të dytë, mund të vaksinohen të gjithë personat mbi 12 vjeç. Ndërkaq, me dozën e tretë të gjithë personat mbi 18 vjeç. Që prej marsit të vitit 2020, kur në Kosovë u regjistruan rastet e para e deri më 7 korrik 2022, Kosova ka regjistruar gjithsej 230 mijë e 395 raste me koronavirus dhe 3 mijë e 140 vdekje nga ky virus.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close