Titulli “Nderi i Akademisë” për Mitrush Kutelin

ATSH/ Me rastin e 115-vjetorit të lindjes së Mitrush Kutelit, Akademia e Shkencave të Shqipërisë i akordoi atij titullin me të lartë, “Nderi i Akademisë”.

“Për herë të parë nga themelimi i Akademisë së Shkencave, gjysmë shekulli më parë, një konferencë e tillë i kushtohet personalitetit të jashtëzakonshëm të Dhimitër Paskos, i njohur me emrin aq të dashur e popullor, si Mitrush Kuteli”, – tha në fjalën e tij kryetari i Akademisë së Shkencave, akademik Skënder Gjinushi.

“Nuk kanë të numëruar e të përshkruar veprat që Mitrush Kuteli i la trashëgim qytetërimit shqiptar, madje, disa prej tyre nuk njihen ende as nga vetë studiuesit. Kjo jo vetëm për shkak të karakterit shumëpërmasor të krijimtarisë së tij, por edhe për shkak të një të vërtete tjetër: sepse shoqëria shqiptare, institucionet e saj, midis tyre edhe Akademia jonë e Shkencave, Kutelit e krijimtarisë së tij i janë kushtuar pak, duke i mbetur ende borxhlinj”, – theksoi akademik Gjinushi, në fjalën e hapjes së konferencës shkencore me titull “Mitrush Kuteli, shkrimtari, studiuesi, përkthyesi”.

I formuar si ekonomist, i diplomuar dhe i doktoruar në shkencën e ekonomisë dhe financës me cilësimin më të lartë, Kuteli i ka dhënë shumë historisë së letrave dhe të kulturës sonë kombëtare: si shkrimtar dhe si publicist; si kritik letrar, editor dhe mbështetës i autorëve më të shquar të kohës: Fan Nolit, Lasgush Poradecit e Migjenit. Si shqipërues që i dha gjuhës shqipe dimension barazie me gjuhë kulturash e qytetërimesh të mëdha.

Bazuar në propozimin e njëzëshëm të Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, vendosi t’i akordojë Dhimitër Paskos mirënjohjen publike më të lartë që jepet nga ky institucion, Nderi i Akademisë, me motivacionin: Shkrimtar me veprimtari krijuese origjinale në prozë dhe poezi; një ndër themeluesit kryesorë të prozës moderne shqiptare; mjeshtër i ligjërimit e rrëfimit, fantazisë dhe së magjishmes; krijues e rikrijues virtuoz mbi bazën e motiveve tradicionale të botës shqiptare; shqipërues i kryeveprave botërore dhe pasurues i gjuhës shqipe; publicist e mendimtar kritik; studiues me vepra të suksesshme në disa fusha të dijes; veprimtar gjurmëlënës në rrugën e përparimit shoqëror e qytetar të vendit.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close