Gjukanoviq ndërprenë mbështetjen për Qeverinë e Abazoviqit

Kryesia e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) e Milo Gjukanoviqit vendosi njëzëri të dielën, më 10 korrik, që të ndërpresë mbështetjen për Qeverinë e Malit të Zi të udhëhequr nga Dritan Abazoviq.

Arsyeja është Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe e cila u votua nga shumica e ministrave e Qeverisë së Abazoviqi të premten, më 8 korrik. DPS-ja deklaroi se marrëveshja me Kishën Serbe kërcënon interesat shtetërore të Malit të Zi.

Nga partia e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, vlerësuan se Qeveria ndryshoi kursin politik për të cilin ishte rënë dakord me formimin e saj.

“Qeveria braktisi detyrën prioritare të përmbushjes së detyrimeve nga agjenda e integrimit evropian dhe me nguti, në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa u konsultuar me publikun profesional, bëri marrëveshje me Kishën Ortodokse, duke i shkaktuar dëm të pallogaritshëm interesave shtetërore të Malit të Zi”, u tha në njoftimin e DPS-së.

Partia e Gjukanoviqit në Kuvendin e Malit të Zi ka 29 deputetë dhe është forca kryesore politike që ka mbështetur Qeverinë e pakicës së Abazoviqit, e cila nuk ka ministra të saj.

Qeveria e Dritan Abazoviqit u formua më 28 prill, pasi në shkurt të këtij viti u rrëzua Qeveria e mëparshme e Zdravko Krivokapiqit me iniciativën e Dritan Abazoviqit, i cili ishte zëvendëskryeministër në atë ekzekutiv.

Menjëherë pas njoftimit të DPS-së, ka folur kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili ka përshëndetur vendimin e kryesisë së DPS-së.

“Është përgjegjësi kur nuk ke mundësi ta ndihmosh shtetin, të paktën mos e vështirëso situatën. Do të shohim se cili është qëndrimi i shumicës së deputetëve”, ka shkruar Abazoviq në Twitter.

Abazoviq inicioi dhe zbatoi procedurën me të cilën u miratua teksti i Marrëveshjes themelore me Kishën Ortodokse Serbe përkundër paralajmërimeve nga partitë partnere në pushtet, në radhë të parë DPS-së, Partisë Socialdemokrate dhe një pjesë të partive të pakicës, si dhe opozita Socialdemokrate, për dëmin e asaj marrëveshjeje për interesat e Malit të Zi.

Gjatë diskutimit në Qeveri, Abazoviq ka pranuar se pjesë Marrëveshjes Themelore nuk janë harmonizuar plotësisht me ligjet dhe Kushtetutën e Malit të Zi, por ka insistuar në miratimin e saj.

Pas Qeverisë së Malit të Zi, marrëveshja duhet të miratohet nga Sinodi i Kishës Ortodokse Serbe, dhe më pas Abazoviq dhe Patriarku Porfirije i Kishës Ortodokse Serbe duhet të bien dakord për datën dhe vendin e nënshkrimit.

Ndërsa Partia Socialdemokrate, zyrtarë të së cilës janë ministrat e Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes, ka paralajmëruar fillimin e procedurës për shkurtimin e mandatit të Kuvendit të Malit të Zi.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close