HAKMARRJA E HISTORISË APO E ZOTIT

Arbën Xhaferi
Konstatimi se qytetërimi evropian dhe ai perëndimor e afirmon konceptin multikulturor dhe multietnik, është plotësisht i gabueshëm, meqë ky qytetërim në thelb afirmon diversitetin, individualizmin e kurrsesi asimilimin, shkrirjen, margjinalizimin, akulturimin apo integrizmin pa kushte. Qytetërimi perëndimor, në vazhdë të afirmimit të diversitetit ka krijuar koncepte dhe shtete, që në mënyrë të padiskutueshme e mbrojnë diversitetin prej tendencave për zbutje, transformim apo eliminim të tij. Si shtetet nacionale ,ashtu edhe ato federative apo konfederative në Evropë janë ndërtuar mbi përcaktimet për mbrojtje të diversitetit etnik.
Në Maqedoni nuk zhvillohet ky proces që merr në mbrojtje efikase diversitetet e ndryshme, prandaj ky shtet është dhe do të mbetet në krizë pa marrë parasysh se a do të jetë apo jo i inkuadruar në NATO dhe në UE. Në Evropë nuk ekziston asnjë shtet si Maqedonia, ku më së paku 25 përqindëshi i popullatës nuk ka fituar ende mekanizmat që i mbrojnë interesat e tyre në mënyrë efikase. Me këtë rast nuk duhet krijuar konfuzion, duke marrë si shembull integrimet evropiane, meqë ky proces në Evropë ka filluar pas përfundimit të procesit araprak, që garantonte funksionimin e papenguar dhe të plotë të diversiteteve.
Këto ide nuk burojnë nga kokat e mykura të politikanëve, apo të intelektualëve të instrumentalizuar nga politika, por nga tendencat e thella dhe të pandalshme historike. Qytetërimi perëndimor është në avantazh, ngaqë e afirmon individualitetin në të gjitha planet. Ky proces depërton ngadalë në hemisferën lindore. Këtë tendencë nuk do të mund ta ndalin as ideologjitë, as mentalitetet patriarkale dhe as konceptet religjioze. Koha e politikave integruese që i dënojnë diversitetet dhe hapin shtegun për amalgamim, për asimilim të veçorive ka perënduar. Ideologjia komuniste e ndali këtë proces të krijimit të shteteve nacionale për afro 100 vite, por në fund historia u hakmor kundër kësaj ideologjie duke e rikthyer procesin në fillim të krijimit të shteteve nacionale. Aq sa ishin të përgjakshme luftërat fillestare ndëretnike për krijimin e shteteve nacionale, po aq të përgjakshme janë edhe këto të sotmet, por gjithsesi me një dallim të vogël: sot jemi në periudhën e informatikës dhe e gjithë kjo tragjedi ndodh para syve tanë dhe për pasojë ka reagime të menjëhershme të opinionit botëror. Në këtë mënyrë mund të shpjegojmë pse në kohërat e kaluara disa zona të banuara me shqiptarë u spastruan definitivisht, si zonat përreth Nishit, Maqedonisë Qendrore apo Çamërisë Jugore dhe jo ato në Kosovë dhe në vise të tjera.
Në shoqëritë paskomuniste, nacionalizmi dhe fetarizmi shfaqen në trajta intensive për shkak të tentimeve ideologjike për t’i ndaluar ato. Dikush i quajti këto procese si hakmarrje e historisë apo e Zotit (La revanche du Dieu).Pra, në Ballkan kemi konfrontimin në mes të qytetërimit perëndimor që afirmon diversitetin dhe atij lindor që afirmon integrizmin me kushte dhe rrethana të dyshimta. Konceptet qytetëruese do të ngadhënjejnë, ngaqë janë në vijë të tendencës historike. Vonime mbase do të ketë, por jo edhe shmangie.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close