Arrestohet shtetasi i Kosovës në Morinë, tentoi të korruptonte punonjësit e policisë
21-vjeçari nga Kosova B. Th., ka rënë në pranga të policisë kufitare Kukës pasi tentoi të kalonte kufirin me një motomjet të dyshuar të trafikuar duke korruptuar punonjësit e policisë.
Policia zbuloi se 21-vjeçari kishte dorëzuar një dokument që i përkiste një motomjeti tjetër, të ndryshëm nga ai drejtonte, ndërsa ky i fundit u përpoq ta korruptonte duke i vendosur një shumë prej 50 euro në dokumente e mjetit. Sakaq motomjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në vijim të kontrolleve të pandërprera, për goditjen e veprimtarive të paligjshme në kufi, përmes kontrolleve me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, motomjetin me drejtues shtetasin B. Th., 21 vjeç, banues në Prizren, Kosovë.
Shërbimet e Policisë, në vijim të kontrollit, i kanë kërkuar 21-vjeçarit që të paraqesë dokumentet përkatëse të motomjetit. Ky shtetas, për të shmangur verifikimin e dokumenteve, ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë, duke u dorëzuar një dokument mjeti, së bashku me një kartëmonedhë me prerje 50 euro.
Nga verifikimi rezultoi se ky shtetas kishte dorëzuar një dokument që i përkiste një motomjeti tjetër, të ndryshëm nga motomjeti që ai drejtonte.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin B. Th., 21 vjeç, banues në Prizren, Kosovë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”.Motomjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Comments are closed.