ANTOLOGJI ME PËSHPËRITJE!

Shqiptarët nuk mungojnë as në antologjitë që rreken të jenë botërore, duke mos u brengosur fare se kush përfshihet në to. Tashmë, kur bëhet fjalë për antologjitë poetike, sikur paraprakisht dihet se kush në to do të përfshihet, sepse janë disa shenja që i demaskojnë vetë hartuesit ose përpiluesit që marrin guximin, mbase edhe intelektual, për realizimin e këtyre projekteve që, siç po tregojnë rrethanat, më shumë janë të dëmshme se sa të dobishme. Prezantimi i letërsisë sonë në gjuhët tjera gjithnjë është pritur me gëzim dhe admirim, sepse kjo është mënyra më e mirë e afirmimit të letërsisë sonë. Kujtojmë vetëm afirmimin që na e kanë bërë përkthimet e veprave të Kadaresë në rreth 50 gjuhë të huaja, një dëshmi kjo mbresëlënës. Ne vetëm mund ta paramendojmë se sa Ismail Kadare e ka afirmuar popullin shqiptar në përmasat botërore. Kontributi i tij është i jashtëzakonshëm. Megjithatë, sa herë që jepet rasti për t’u prezantuar letërsia jonë në gjuhë tjera, duhet pasur kujdes që të përzgjidhen vlerat e verifikuara dhe të qëndrueshme dhe jo të paraqiten krijimet e atyre individëve që njihen fare pak ose aspak në hapësirën shqiptare. Është e papranueshme që në rolin e atyre që bëjnë përzgjedhjen të jenë ata që nuk kanë njohuri të drejtpërdrejtë me rrjedhat e letërsisë shqiptare, ose edhe më keq, nga mos dija, t’u besojnë atyre që u pëshpëritin prej anash.
Në fillim të korrikut u paralajmërua se portali ATUNIS GALAXY ka botuar, në gjuhën angleze, Antologjinë poetike botërore, në të cilin janë përfshirë 192 poetë nga mbarë bota, në mesin e tyre edhe 18 poetë shqiptarë. Kryeredaktor i këtij botimi (me 425 faqe) është Agron Shele. Është e drejta e secilit të botojë çfarë të dojë dhe këtu nuk ka asgjë të keqe, megjithatë ngel një e keqe që vështirë kapërdihet e që ka të bëjë me përzgjedhjen e autorëve (mbase përzgjedhësi duhet të ketë njohuri cilësore edhe të autorëve që gjuhëve në të cilat ata shkruajnë). Në këtë përzgjedhje të poetëve shqiptarë, natyrisht se ka emra cilësor, për të cilët nuk ka hapësirë të kontestohen, por ka edhe emra, për të cilët shumica e shqiptarëve, përkatësisht ata që i përcjellin rrjedhat e letërsisë, as që kanë dëgjuar. Është për t’u habitur mungesa e së paku një autori nga Maqedonia e Veriut apo edhe nga Mali i Zi (fatmirësisht nuk është harruar Lugina e Preshevës). Kuptohet këto kritere hapësinore janë të papërfillshme, sepse letërsia shqiptare, kudo që krijohet, është një letërsi, por kur autori i këtij projekti këmbëngul në këtë kriter, atëherë do të ishte e natyrshme që kjo përzgjedhje sado kudo të jetë e plotë dhe jo gjysmake si në rastin konkret dhe kjo, fatkeqësisht, nuk mund të arsyetohet me asgjë. Ideja dhe përpjekja kuturu për të bërë diçka të madhe është e pritshme të dështojë, të mos përfillet dhe të harrohet. Nuk do të rezultojë me sukses as logjika e biznesit, sepse kjo antologji kushton “vetëm” 35 euro.
P.S.
Në Antologjinë poetike botërore, në gjuhën angleze, të ATUNIS GALAXY janë prezantuar këta autorë shqiptarë: Agron Shele (Shqipëri – Belgjikë), Alisa Velaj (Shqipëri), Bilall M. Maliqi (Preshevë), Ermira Çela (Shqipëri – SHBA), Elida Rusta (Shqipëri), Iva Katundi (Shqipëri), Fahredin Shehu (Kosovë), Jeton Kelmendi (Kosovë), Juljana Mehmeti (Shqipëri – Itali), Klejda Plangarica (Shqipëri), Kadrush Radogoshi (Kosovë), Luan Rama (Shqipëri), Ledia Dushi (Shqipëri), Merita Paparisto (Shqipëri – Kanada), Mimoza Ahmeti (Shqipëri), Rudina Çupi (Shqipëri), Sadik Bejko (Shqipëri) dhe Zydi Morava – (Shqipëri).
/HEJZA/

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close