Bie importi nga Serbia e Bosnja,e rriten të hyrat

Që nga aplikimi i taksës doganore prej 10 për qind për mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, Dogana e Kosovës ka arritur të grumbullojë rreth 300 mijë euro më shumë.

Këto të dhëna i bëjnë të ditura për Radion Evropa e Lirë zyrtarë të Doganave të Kosovës.

Qeveria e Kosovës një javë më parë ka marrë vendim për vendosjen e taksës doganore prej 10 për qind në të gjitha importet me prejardhje nga Serbia dhe Bosnja. Përjashtim nga kjo masë bëjnë produktet e brendeve ndërkombëtare të prodhuara në këto dy vende.

Drejtori i Doganave të Kosovës Bahri Berisha i tha Radios Evropa e Lirë se ka pasur rënie të import prej 50 për qind nga dy vendet – Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

“Krahasimi është bërë një javë para vendimi dhe një javë pas vendimit. Dhe kjo tregon se një javë para vendimit kemi pasur rreth 7 milionë euro produkte të importuara nga këto dy vende,Serbia dhe Bosnja, ndërsa në 6 ditët tjera, pra pas hyrjes në fuqi të vendimit, kemi pasur 3.5 milionë euro importe nga të dy vendet. Derisa nga taksa mbrojtjese prej 10 per qind kemi mbledhur 300 mije euro”, thekson Berisha.

Megjithatë, ai shton se të dhëna më të sakta rreth luhatjes së importeve nga këto dy shtete, autoritetet e Kosovës do të kenë pas një periudhe tri javore.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, importuesi më i madh në Kosovë i gati të gjitha produkteve mbetet Serbia. Vetëm vitin e kaluar rreth 450 milionë euro është vlera e produkteve të importuara nga ky shtet. Kurse, 48 milionë euro është shuma e produkteve të Kosovës të eksportuara në tregun e Serbisë.

Ndërkaq, importi i produkteve të Bosnjë Hercegovinës vitin e kaluar ka qenë 81 milionë euro, ndërkaq vlera e produkteve të Kosovës të eksportuara në këtë shtete është 8.7 milionë euro.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë bërë të ditur se vendosja e taksës doganore prej 10 për qind për mallrat që importohen në Kosovë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, nuk ka një afat të caktuar se sa do të zgjasë.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close