NDALIMI I ORËS *Poezi
Shkelzen Halimi
Ta hapim portën e odës së vetmisë
Dhe që andej le të fluturojnë lutjet
Ditët e gjata të pagjumësisë
Frymëmarrjet e rënda
Plagët e shpirtit
Pastaj ta marrim vetminë dhe ta çojmë pranë bregut
Le ta rrahin erërat e forta, valët e detit
T’ia hedhim lëkurën e mallëngjimit
Ndoshta do ta ngrohin kujtimet
E ndrydhura midis rafteve të librave
Që flasin për heshtjen, netët pa dritë
Për ulërimën e ujkut
Korbin e Edgar Allan PO-es
Dhe kur t’i gëlqerosim muret
Dhe kur ta ndalim orën
Në shtrat do ta lëshojmë trupin
Dhe do ta mbyllim portën
Dhe do të lutemi që ta gjejmë
Pikën e fundit
Në pafundësinë e vetmisë
Comments are closed.